Tani që pandemia ka përfunduar, përdorimi i mjeteve dixhitale në klasë nuk ka kthim pas. Nxënësit po rriten në një epokë teknologjike dhe mësuesit duhet të flasin “gjuhën” e tyre përmes përdorimit të teknologjive të TI-së në mënyrë që t’i angazhojnë ata në procesin e të mësuarit, dhe këto mjete mund të jenë një mënyrë e shkëlqyer për të motivuar nxënësit dhe për të nxitur autonominë e tyre. Por nxënësit lodhen duke përdorur të njëjtat lojëra ose platforma pas njëfarë kohe e si rrjedhojë shumëllojshmëria është e domosdoshme, por kjo mund të jetë një sfidë e madhe për mësuesit që luftojnë për të gjetur mjetet e duhura për nxënësit e tyre.
Mësuesit duhet të bëjnë kërkime në internet dhe të kuptojnë se si funksionojnë mjetet digjitale, të bëhen të aftë në përdorimin e tyre dhe të përgatisin përmbajtjen e cila kërkon shumë kohë, veçanërisht për shkak të shumëllojshmërisë së madhe të burimeve dhe shpejtësisë me të cilën ato krijohen nga krijuesit.
Një strategji e mirë mund të jetë krijimi i disa kategorive për mjetet dixhitale sipas llojit të punës që do të zhvillohet, për shembull: video, prezantime, vlerësime, si të organizoojnë mësimin dhe sa herë që mësuesit zbulojnë një mjet të ri, ata mund ta shtojnë atë në listen e tyre duke ruajtur kështu gjurmët e asaj që kanë në dispozicion.
Nëse mendojmë për vlerësimin, i cili është gjithmonë një temë delikate për nxënësit, prindërit dhe mësuesit, ka një sërë mjetesh që mund të përdoren për qëllime vlerësimi dhe që e bëjnë procesin më argëtues dhe më pak stresues për nxënësit. Ato mund të përdoren në klasë ose në shtëpi, me mësuesin ose prindërit ose në mënyrë autonome nga nxënësit, për momente vlerësimi formale ose thjesht për kontroll progresi, ose si vlerësim i maskuar si konkurs me pjesëmarrjen e gjithë klasës.
Kahoot (https://kahoot.com) është ndoshta një nga mjetet më të njohura, thjeshtësia e përdorimit dhe natyra konkurruese e të cilit e bën atë shumë tërheqës për nxënësit dhe mund të përdoret për qëllime të rishikimit të përmbajtjes, vlerësimit formues sepse është e lehtë të ekstraktoni rezultatet si dhe për të bërë sondazhe.
Quizlet (https://quizlet.com) është një tjetër mjet i njohur që mund të përdoret për kontrollin e progresit përmes përdorimit të kartave që mund të paraqiten në 5 mënyra të ndryshme.
Socrative (https://socrative.com) është një aplikacion për dizajnin e kuizeve që mund të përdoret për të krijuar teste dhe kuize për të marrë reagime në kohë reale për të mësuarit e nxënësve. Ky mjet mund të përdoret individualisht nga nxënësit duke i lejuar ata t’u përgjigjen testeve dhe kuizeve me ritmin e tyre, ndërsa kontrollojnë përgjigjet e tyre, dhe mund të përdoret gjithashtu në klasë nga grupe ose ekipe studentësh që angazhohen në gara duke përdorur telefonat ose tabletët.
Mentimeter (https://mentimeter.com) është një tjetër burim dixhital që mundëson krijimin e ndërveprimeve në kohë reale, të tilla si: sondazhe, re fjalësh ose pyetje. Ai mund të përdoret nga e gjithë klasa në të njëjtën kohë dhe i bën rezultatet të dukshme për të gjithë.
HotPotatoes (https://hotpot.uvic.ca/) përfshin gjashtë module të ndryshme për qëllime të ndryshme, përkatësisht: JCross (fjalëkryqe), JMix (renditje fjalësh), JCloze (tekste me plotësimin e vendeve bosh), JQuiz (zgjedhje të shumëfishta, përzgjedhje të shumëfishta, e vërtetë/e gabuar, kuize me përgjigje të shkurtra), JMatch (shoqërim në çift ose renditje fjalish) dhe The Masher (për qëllime përpilimi, mundësia e përpilimit të skedarëve të ndryshëm me ushtrime, krijimi dhe indeksimi i faqeve me lidhje për skedarët e ndryshëm).
Këto janë vetëm disa shembuj të burimeve të shumta dixhitale që janë në dispozicion në ditët e sotme dhe që mund të jenë shumë të dobishme për t’i bërë orët mësimore më dinamike, nxënësit më të angazhuar në aktivitete dhe që mund të kontribuojnë në mjedise të balancuara mirë të mësimdhënies dhe të të nxënit.