Në ditët e sotme, fëmijët janë të ekspozuar ndaj përdorimit të pajisjeve dixhitale që në fëmijërinë e hershme

January 8, 2023

Në fakt, ne i referohemi gjeneratave të reja si “vendas dixhital” dhe vetë emërtimi shpreh një lloj natyraliteti në lidhjen e brezave të rinj me teknologjinë. Fëmija mësohet shumë shpejt me përdorimin e mjeteve teknologjike: që nga lojërat e para ndërvepruese në ekran, deri tek familjariteti me celularët, smartfonët dhe tabletët shumë përpara fillimit të shkollës, shpeshherë që në moshën 4 vjeçare. Ky qëndrim nuk është një devijim negativ që duhet t’i atribuohet dixhitalizimit të shoqërisë, por është më tepër një reagim normal i fëmijës i cili natyrshëm imiton kontekstin dhe veprimet e prindërve të tij/saj.

Qasja e natyrshme dhe e shpejtë ndaj pajisjeve teknologjike në realitet ndodh për një arsye të drejtpërdrejtë. Ekranet, veçanërisht ekranet me prekje, janë mjete që kanë aftësinë të thyejnë pengesën gjuhësore dhe vështirësitë e artikulimit të fjalëve dhe shkronjave të shkruara.

Përvojat që ndezin inteligjencën e fëmijëve sot janë shumë të ndryshme nga ato të së shkuarës dhe bazohen në një metodë të të mësuarit shumë të shpejtë. Mënyra intuitive me të cilën fëmijët afrohen dhe ndërveprojnë me mjetet teknologjike është arsyeja kryesore për përdorimin gjithnjë e më të gjerë të platformave dixhitale në mësimdhënie dhe në të nxënë. Mjetet dixhitale janë në gjendje të komunikojnë në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë me “vendasit dixhitalë”, dhe për këtë arsye, ato përdoren gjithnjë e më shumë në shkolla dhe në të gjitha mjediset e të nxënit.

Cili është roli i prindërve në këtë mësimdhënie dhe të nxënët dixhital?

Si prind, nuk duhet të keni frikë të zgjidhni mjetet e mësimdhënies dixhitale për fëmijët tuaj, përkundrazi duhet të përqendroheni në përdorimin e saktë të këtyre mjeteve: fëmijët dhe të rinjtë instinktivisht dinë t’u qasen mjeteve të reja arsimore kur udhëhiqen nga të rriturit në mënyrën e duhur dhe konstruktive. Këto teknologji mund ta bëjnë mësimin në shkollë dhe në shtëpi shumë më efektiv, falë aftësisë së tyre për të transformuar momentin e studimit dhe të detyrave të shtëpisë në një mundësi për rritje të shpejtë dhe argëtuese. Përdorimi i përditshëm i mjeteve dixhitale nga vogëlushët mund të jetë paksa i frikshëm dhe të shkaktojë shqetësime tek prindërit. Kjo është krejtësisht normale. Sidoqoftë, mbani mend se ka një ndryshim të madh midis përdorimit të përditshëm dhe shpesh të keqpërdorur të mjeteve teknologjike me qëllimin e vetëm për të kaluar kohën dhe për të shmangur mërzinë dhe përdorimin e përditshëm dhe të matur të të njëjtave mjete dhe platformave për qëllime edukative. Fëmijët dhe teknologjia mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore, nën drejtimin e prindërve që dinë t’u tregojnë se ky burim duhet të përdoret me maturi dhe të shfrytëzohet për mundësitë e shumta konstruktive që ofron.

Në fakt, duke u ofruar fëmijëve tuaj mjete mësimore dixhitale për t’i ndihmuar ata në të mësuarit autodidakt do t’i lejojë ata të:

  • organizojnë lirisht dhe në mënyrë autonome angazhimin e tyre shkollor;
  • punojnë në vazhdimësi me kurrikulën shkollore, e cila zhvillohet në klasë;
  • mësojnë të dinë dhe njohin pikat e forta dhe të dobëta të tyre dhe të jenë në gjendje të punojnë e të përmirësohen;
  • zhvillojnë sisteme dhe metoda studimi të përshtatshme për nevojat dhe karakteristikat e tyre vetjake.

Të prezantoni fëmijët tuaj me përfitimet e mundësive të shumta arsimore të disponueshme sot në platformat dixhitale në mënyrë të shëndetshme, do t’i lejojë ata të kuptojnë ndryshimin midis sjelljes së dëmshme dhe abuzimit me teknologjinë. Ndërgjegjësimi dhe ndjenja e përgjegjësisë janë çelësi që do t’i lejojë fëmijët tuaj të rriten në aspektin: njerëzor, intelektual dhe akademik.

Coordination

Partners

© 2023 Dream. All rights reserved.